Freitag, 15. September 2006
Sllupçani im i mirë
(Dëshmorëve të luftës së vitit 2001 )
Sllupçan,
Më jep forcë nga forca jote
E ta këpus një hallkë të ndarjes,
Kurrë të shkëputjes,
Në varganin tënd,
Që për një hallkë
Ty të kem më afër!
Më jep forcë nga forca jote,
Që t'i këpus të gjitha hallkat
E varganit të ndarjes,
Kurrë të shkëputjes
E të përqafoj me afsh,
Sllupçani im i mirë!
Sllupçan,
Më lejo t'i rrah supet
E të përgëzoj
Për qëndresë e trimëri,
Më lejo t'i prek plagët,
Oh, plagët e trupit,
Plagët e trimërisë,
Plagët e krenarisë,
Plagët e verës përcëlluese,
Që kuçedra t'i hapi natë e ditë
Me breshëri granatash mbi ty,
Sllupçani im i mrë!
Sllupçan,
Më lejo t'i fshij bulëzat e djersës
Në ballin tënd - shesh qëndrese,
Në ballin tënd - shesh krenarie
E ta freskoj zemrën e zhuritur
Për fëmijët njomëzakë,
Për gratë nënëmira,
Për burrat sypatrembur,
Për luftëtarët zemërluanë,
Që pushojnë në krahërorin tënd,
Aty te shpati mbi fshat,
Aty, te Uji i Bardhë,
Sllupçani im i mirë!
Sllupçan,
Më falë se m'u njomën sytë!
Unë e di,
Ti nuk i duron lotët,
Qarjet, më, jo se jo,
Se rënia për liri
Është lule e syrit pranveror,
Është rreze e diellit veror,
Është përjetësi me yje në kurorë,
Por, më lejo të përulem
Para varrezave, altar lirie,
Më lejo t'i ujis lulet
Që ta zbukurojnë e freskojnë
Këtë përmendore përjetësie!
Sllupçan,
Më lejo, për luftëtarët e lirisë
Për të rënët, ballë i trimërisë,
Që ta mbrojtën nderin,
Namin ta ripërtërinë,
Të puth në ballë
E si biri me nënën
Me ty të shkrihem në përqafim!

Avni Dehari, Prishtinë, mars 2005

... comment