Freitag, 15. September 2006
Zëri i dëshmorëve
(Tekst për këngë)

Zëri i dëshmorëve
del kushtrim nga toka:
«Shtrenjtë kushton liria,
kurrë nuk e fal bota».

Plaga kullon gjak
shqipja copa-copa.
Çdo kufi një lak,
veshin shurdh Evropa.

Plumb robëria,
n’tokën ton peshon,
nga ndarjet e reja
shqipja keq lëngon.

Ndarjet janë të thella,
vjellin vrer të zi,
farkojnë pranga t’rënda
sjellin prapë robëri.

N’gjakun e dëshmorëve,
shqipja i lanë plagët,
n’fluturim hidhet
dhe i shkallmon prangat.

Zëri i dëshmorëve
del kushtrim nga toka:
«Shtrenjtë kushton liria,
kurrë nuk e fal bota».

Avni Dehari, Bernë, 18. 9. 1995

... link (0 Kommentare)   ... comment


Kosovë
I kuq, i kaltër,
i verdhë, i zi,
kapërthim ngjyrash,
njollë në bardhësi.

Kuq, kaltër,
verdh e zi,
re ngjyrash,
amulli.

Në shtëpinë time
djaj me bisht
e me brirë
kanë hyrë.

Acar,
trishtim.
Në horizontin tim
muzgjet e zymta
kryqëzojnë
diellin në agim.

Ngricë…
Trishtim,
gjaku mpikset
në damarët e mi.

Por,
midis resh
si vegim
një rreze
shndrit e nxeh,
në agim
këndellet dielli
edhe nis
e shpërndan re.

Kosovë,
shpërgjumu!
Amulli më mos duro!
Mbështetu
në krahë trimash,
si shqiponjë,
fluturo, fluturo!

Bernë, tetor 1996

... link (0 Kommentare)   ... comment


Të lumtë bir!
Mbrëmë kalova natën
në shtëpinë e vjetër.
Sa mirë!
Më vuri në gjumë
zëri i nënës:
«Fli bir!»
Mëngjesi më çeli
në shtëpinë e vjetër.
Sa mirë!
Më shkriu
pyetja e nënës:
«A fjete bir?»
Në shtëpinë e vjetër
e hëngra mëngjesin.
Sa mirë!
Më dha oreks
urimi i nënës:
«Të bëftë mirë!»
Në shtëpinë e vjetër,
rrobat e punës i vesha.
Sa mirë!
Më forcuan
fjalët e nënës:
«Punë e mbarë bir!»
Në shtëpinë e vjetër
armën në brez e vura.
Sa mirë!
Më trimëroi
përgëzimi i nënës:
«Të lumtë bir!»

Bernë, 16 maj 98

... link (0 Kommentare)   ... comment


Sllupçani im i mirë
(Dëshmorëve të luftës së vitit 2001 )
Sllupçan,
Më jep forcë nga forca jote
E ta këpus një hallkë të ndarjes,
Kurrë të shkëputjes,
Në varganin tënd,
Që për një hallkë
Ty të kem më afër!
Më jep forcë nga forca jote,
Që t'i këpus të gjitha hallkat
E varganit të ndarjes,
Kurrë të shkëputjes
E të përqafoj me afsh,
Sllupçani im i mirë!
Sllupçan,
Më lejo t'i rrah supet
E të përgëzoj
Për qëndresë e trimëri,
Më lejo t'i prek plagët,
Oh, plagët e trupit,
Plagët e trimërisë,
Plagët e krenarisë,
Plagët e verës përcëlluese,
Që kuçedra t'i hapi natë e ditë
Me breshëri granatash mbi ty,
Sllupçani im i mrë!
Sllupçan,
Më lejo t'i fshij bulëzat e djersës
Në ballin tënd - shesh qëndrese,
Në ballin tënd - shesh krenarie
E ta freskoj zemrën e zhuritur
Për fëmijët njomëzakë,
Për gratë nënëmira,
Për burrat sypatrembur,
Për luftëtarët zemërluanë,
Që pushojnë në krahërorin tënd,
Aty te shpati mbi fshat,
Aty, te Uji i Bardhë,
Sllupçani im i mirë!
Sllupçan,
Më falë se m'u njomën sytë!
Unë e di,
Ti nuk i duron lotët,
Qarjet, më, jo se jo,
Se rënia për liri
Është lule e syrit pranveror,
Është rreze e diellit veror,
Është përjetësi me yje në kurorë,
Por, më lejo të përulem
Para varrezave, altar lirie,
Më lejo t'i ujis lulet
Që ta zbukurojnë e freskojnë
Këtë përmendore përjetësie!
Sllupçan,
Më lejo, për luftëtarët e lirisë
Për të rënët, ballë i trimërisë,
Që ta mbrojtën nderin,
Namin ta ripërtërinë,
Të puth në ballë
E si biri me nënën
Me ty të shkrihem në përqafim!

Avni Dehari, Prishtinë, mars 2005

... link (0 Kommentare)   ... comment


Diell lirie
(Komandant Kumanovës)

I dobët vargu im
Për dashurinë Tënde,
- Më e madhe se Kosova.
I pafuqishëm vargu im
Për guximin Tënd,
- Vetëtimë në syrin e trimit.
I zbehtë vargu im,
Për rënien Tënde,
- Krenaria jonë.

Shumë i mekët vargu im
Për fjalët e Tua bubullimë:
Në paça zemër,
Ja ku ma ke
Autdheu im palcështrydhur!
Në paça trimëri,
Ma prano toka ime e përbuzur!
Në paça gjoks,
Mos ma kurse
Populli im përballë stuhive!
Në paça gjak,
O sot, o kurrë, Kosova ime
E etur, e djegur për liri!

Cicërima e zogjve
Ta dehte shpirtin,
Pusho me cicërimën e tyre
Simfoni lirie.
Gurgullima e krojeve
T'i njomte buzët,
Pusho pranë gurgullimës
Së krojeve tona melodi kënge.
Freskia e maleve
Ta ledhatonte ballin,
Pusho në gjirin e maleve tona
Fresk pranvere.
Prehri i nënës,
Ta grishte fëmijërinë,
Pusho në prehrin e nënës Kosovë,
- Diell lirie!

Avni Dehari, Bernë, 9. 11. 1999

... link (0 Kommentare)   ... comment


Donnerstag, 14. September 2006
Shqip këndon gjinkalla
(Nxënësve, që ndjekin mësimin plotësues në gjuhën shqipe, nga Gjermania dhe Zvicra, të cilët qëndruan në Kosovë prej 25. 4 ­ 3. 5. 2002)

Ku m'thonë malet mirë se erdhe?
Në Kosovë.
Ku m'i puth toka këmbët?
Në Kosovë.
Ku m'fal fusha lule ylberi?
Në Kosovë.
Ku m'bën dielli çokollatë?
Në Kosovë.
Ku m'jep lumi limonadë?
Në Kosovë.
Ku m'i kreh era flokët?
Në Kosovë.
Ku ma vjedh loja ditën?
Në Kosovë.
Ku ma shton gjumi rritën?
Në Kosovë.
Ku ma përkund ëndrrën hëna?
Në Kosovë.
Ku m'përqafon liria ngrohtë si nëna?
Në Kosovë.



Uji fluturon

Është pak si çudi,
Ti nuk e beson.
Unë nuk bëj mahi,
Uji fluturon!

Ti ngul këmbë:
Uji nuk ka fletë.
Si ikën te lumi,
Si ngjitet te retë?

Lëshohet pika­pika,
Kur bie shi tatëpjetë,
Sa shkon te lumi,
Ngjitet prapë te retë.

Dhe kur bie borë,
Fluturon si bletë,
Sa ndeshet me rrezen,
Shkon te lumi shpejt.

Sapo hap ti çezmen,
Ai, fap, fluturon,
Futet në kanal,
Prapë te lumi shkon.

Ti ngul këmbë:
Uji s'fluturon.
Si ngjitet te retë,
Te lumi si shkon?

Uji shumë pak fle,
Uji pak pushon.
Tungjatjeta diell!
Në qiell fluturon!



Vjersha troket …

Te xhaxhi poeti
Vjersha troket në derë:
Më bën strehë të lutem,
Mos më lë të mjerë!

Mos më lë pa strehë
Në fushë e në bjeshkë,
Mos më lë të tretem,
Më hap shpejt një fletë!

Gëzohet poeti
Dhe e merr për dore.
Një shtrat fort të mirë,
Ia bën në feltore.

Seç i kujtohen
Atij plot fëmijë,
Që kërkojnë vjersha
Nëpër librari.

E bashkon me shoqet,
I vë kurorë të artë,
Do t'ua çojë fëmijvë
Në librari dhuratë!

Agroni lëvdaç

Me një shpatë më besoni,
Një mijë krerë i preva dje!
Ma jep kosën, thotë, Valoni,
Një mijë barëra bien përdhe!

Sikur divat dikur moti,
Rrëzoj lisa nëpër mal!
Ta besoj, thotë Valoni,
Nëse sharrën ti ma falë!

Grushti im, mos u habitni,
Tund një fshat a një qytet!
Ashtu ndodh, thotë Valoni,
Gjyle e topit kur kërcet!

Aeroplanët n'fluturim,
Me një plumb i rrëzoj!
Edhe unë me pak helm,
Përdhe mizat i prapëtoj!

Jam i fortë sa nuk besoni,
Peshë çoj sa një qytet!
S'është çudi, thotë Valoni,
Lokomotivën nëse e nget!

Si çakallë e mullirit,
Flet e lavdërohet Agroni,
Si gjuetari në çdo shteg,
Ia zë pritën mirë Valoni!

Minjtë dhe Maçoku

Mjaft u turpëruam
Duke ikuar në të katra,
Do ta shkruajmë një letër
Me shkronja të arta.

Nëse do të na njohësh,
O Maçoku trim,
Dil në stadion,
Kërkojmë dyluftim!

Letra u shkrua,
Zarfa u mbyll,
Koha u cakuta
Për ditën e diel.

Ditë e diel e javës,
Njerëzit kanë pushim,
Urdhëroni biletat,
Shihni dyluftim!

Sa shpejt erdhi koha,
Njerëzit hynin­dilnin,
Minjtë nuk u dukën
Pa taksi si t'vinin!

Maçoku dhe Minoku

Një ditë për të fjetur
Kishte rënë Maçoku,
­ Lum i unë i lumi!
­ U gëzua Minoku.

­ Tash mundem pa frikë
Të shkoj në hambarë,
Pesë thasë do t'i mbush
Me misër të bardhë!

Jo, me aq nuk kënaqem,
Do të marr më shumë,
Pjesa që do të mbetet,
Do ta hedh në lumë!

Prej gjumit të rëndë,
Maçoku u zgjua,
Zemra e Minokut
Dyshas u copëtua!

Daci

Me vija kuq e zi,
Daci im larosh,
Mustaqet e gjata
I ka katarrosh.

I rreptë është,
Pushkë nuk ka,
Në shtëpinë tonë,
Gjej një mi pra!

S'ka në botë si vendi im

Kudo dielli rrezet lëshon
Edhe hëna tokën ndrin,
Që nga lind e përëndon,
S'ka në botë si vendi im.

Bregdetari e do detin,
Që me valët jetën çon,
Hiç më pak s'e do malin,
Lart në male kush banon.

S'vjen fshati me qytetin,
Fort na mburret qytetari,
Ku ma ke, or ti fshatin,
Na krenohet dhe fshatari.

Mos u mburrni vetëm kot,
Dilni n'lindje n'perëndim,
Më të bukur s'gjeni n'botë,
Ndonjë vend, si vendi im.

Dëshira

Fëmijë, o fëmijë, kur të rritem,
Do t'më bëhen këmbët e forta,
Maje malit do të ngjitem,
M'u atje ku duket bota!

Prej së larti, o fëmij,
Do ta prek me dorë qiellin,
Kur të vijë në perëndim
Do ta ndal edhe diellin!

Errësirë më nuk do të ketë,
Që fëmijët i frikëson,
Rreze drite do të lëshojë delli,
Që nga lind e perëndon!

Shiu

Lum motra më trego,
Çfarë ka lart atje mbi re,
Që kur moti errësohet,
Fillon të bjerë shi rrëke?

Mos është ndonjë jetime,
Që mbi re rri e qan
Dhe me lotin e kulluar,
Oborrin tonë e lanë?

A mos është princeshë e luleve
Me fustanin e përhitur,
Që në lumë e mbush hinkën
Lulet e kopshtit për t'i ujitur?

S'është jetime, as princeshë,
Po re e bukur e qiellit,
Që nga lumi e çon peshë
Rreze e nxehtë e diellit.

Kur sheh lulet se janë vyshkur
Edhe toka ujë kërkon,
Prej së larti e kujdesur
Pika­pika shi lëshon.

Drita

Një natë vere Drita,
Në oborr sapo doli,
E pa qiellin plot me yje,
Nënës vetë kështu i foli:

­ Atë qilim me lule zjarri,
Më trego e dashur nënë,
Mos e ka bërë me fije ari,
Bashkë me shoqet motra jonë?

– T’i m’u bëfsh dritë e diell!
Me zë të ëmbël i ka thënë,
S’është qilim, por është qiell
Plot me yje dhe një hënë.

Kur të rritesh shprit, o Dritë,
Ti në shkollë do të shkosh,
Si për yje, si për hënë,
Në libra do të mësosh.

Se për të atje kanë nxënë,
Kosmonautët që hulumtojnë,
Herë në yje, herë në hënë
Me raketë kur fluturojnë.

­ Ah sa kam dëshirë,
T'shkoj në shkollë moj nënë,
T'i mësoj mësimet sa më mirë,
Ta gjej rrugën për në hënë!

Me fëmijët e lagjes sonë,
Një raketë do ta bëjmë,
Të premtoj se çdo pushim,
N'hënë e n'yje do ta kalojmë!

Vetëtima

Në qiell retë
Kush i trazon?
Ç'është ajo flakë,
Kush bubullon?

Kështu ndodh
Saherë bie shi,
Babi, të lutem,
Dua ta di!

Në qiell, bir,
Retë luftojnë,
Zjarr­vetëtimë
Për goje lëshojnë.

Dhëmbë për dhëmbë
Kur kacafyten,
Gjëmojnë ­ bubullojnë
E n'shi mbyten.



Qumështi

Sapo nëna
Lopët i moli,
Kusinë me qumësht
Në verig e vori.

Afër vatrës
Luante Agimi,
Pranë kusisë,
Mu te hiri.

Ndizej zjarri,
Kusinë e ngrohte
Në enë qumështi
Po gufonte.

­ Nënë, nënë,
U mbush kusia!
­ Thiri Agimi,
Nga habia.

Qumështin, nënë,
Kush e shton!?
Si vjen qumështi
N'kusinë tonë!?

Shpejt kusinë
Nëna e hoqi,
Diku n'kthinë
E vendosi.

Djersët nënës
I shkonin lumë,
Me Agimin
S'merrej shumë.

U habit Agimi
Kur e pa,
Si prapë qumështi
Më poshtë ra!

Çuditej Agimi
E nuk e kuptonte,
Si humbte qumështi,
Pse gufonte!
Dielli piktor

Unë jam piktor,
Piktor i rrallë,
Vizatoj në male,
Në fusha e zallë.

Ngrihem në mëngjes,
Në det laj fytyrën,
Ngjitem përmbi bjeshkë
Dhe ngjyros natyrën.

Ngjyros gjelbër,
Po dhe bardhë e kuq,
Rrezen time brushë
E lag pus më pus.

Mbi pyje e fusha,
Ngjyrë të gjelbër hedh,
Mollën e bëj kuq,
Pjeshkën krejtë të verdhë.

Ngjyros dredhëza,
Ngjyros dhe qershi,
M'i lajnë retë e zeza,
Shpesh ngjyrat me shi.

Sapo ndalet shiu,
Brushën prapë e marr,
Hark i hedh ngjyrat,
Ylber­mal mbi mal.

Rrezen time brushë
Unë në lumë e lag,
Lloj­lloj ngjyre lules,
Grurit ngjyrë të artë.

Tërë ditën e lume,
Unë ngjyros natyrën,
Ngjyrë kafe fëmijëve,
Ua rreshk fytyrën.

Shqip këdon gjinkalla

Të gjitha kafshët
Shqip flasin në përralla.
Shqip flet ariu i malit
Dhe thnegla në ara.

Shqip flet luani,
Elefanti i madh.
Ndryshe nuk flet ujku,
As kali n'livadh.

Bukur lepurushi
Shqipen se ç'e flet,
Shqip flet bilbili
Dhe zogu mbi degë.

Qeni, dhelpra, iriqi,
Lopa me gjithë viç,
Në fushë e në male
Të gjithë flasin shqip.

Shqip këdon gjinkalla,
Që verës s'pushon,
Se nga gjyshja përrallën
Fëmija shqip dëgjon.

Leta dhe gjumi

Mos ma zërë luhaçën,
Gjumë të lutem shumë!
Tani nuk është natë,
Ik, luhatem unë!

Shumë të lutem Letë,
Mos më keqkupto!
Tërë natën nanuris:
Nina­nëna­o.

Ulem në qerpik
Dhe fare nuk zbres,
Nga qerpiku ngrihem
Vetëm në mëngjes.

Hiqmu gjumë nga sytë!
U mor vesh kjo punë.
Ti natën n'qerpik,
Ditën n'luhaçë unë!

Rrugaçi

I papastër, i leckosur,
Rrugës sillet si rebel,
Për prapësi s'e ka shokun,
Në mësime shumë dembel.

Prindrit s'i dëgjon,
Me shokët sillet keq,
Aspak si ngjan nxënësit,
S'bën as për dordolec.

Edhe zogjtë e malit
Thonë në gjuhën e vet:
Ikni se rrugaçi,
Me llastik na vret!

Një ditë pas një peme
Një llastik e gjeti,
Fap, me një gur,
Zogjve ua shkrepi.

Guri qëlloi degën,
Po s'u kthye n'tokë,
Si me porosi
E qëlloi në kokë!

Ah, bërtiti rrugaçi,
Mjer unë i mjeri,
Duke e mbajtur gungën
Një cfurk se ç'e shkeli!

Kop, bishti i cfurkut,
Të shkretit i ra n'ballë
E t'ia leu me gjak
Fytyrën e palarë!



Duke e fshirë ballin,
Lëshoi sytë n'tokë,
Cfurku që e goditi
Rrinte shtrirë përtokë!

Duke e fërkuar gungën
Hodhi sytë përpjetë,
Lart po fluturonin
Zogjtë që rrinin n'degë!

Fëmija dhe zogu

Mbi degë një zog,
Qetas po pushonte,
Me llastik një fëmijë
Deshi ta qëllonte.

Ah, i tha zogu,
Mbeti në shtëpi,
Po më qëllove
Jetim një fëmijë!

Llastikun fëmija
E futi në xhep
Dhe me vrap u nis
Për te nëna e vet.

A kam bërë mirë,
E dashura nënë,
Ia tregoi dhe fjalët,
Zogu që i kishte thënë.

Nëna në ballë e puthi,
Flokët ia ledhatoi,
Për sjelljen e mirë
Me shpirt e uroi.

Lapsi dhe nxënësi

Çantën e nxënësit
Shtëpi e ka bërë,
Në qoshen e saj
Një dhomë e ka ndarë.

Bujku pa plug
Nuk ka çfarë bën,
As nxënësi pa laps
Nuk di nga ia mban.

Letra e bardhë
Për nxënësin arë
Dhe grafiti i zi
Njësoj sikur farë.

Në letër nxënësi
Hedh farën me dorë,
Për n'hambarin tru,
Me gojë vetë e korrë.

Ditët e javës

Herët në mëngjes,
Java Ben fillon,
Ditë e parë e saj
Çdoherë është E HËNË.

Motra si mësuese
Vazhdon me Benin:
Ditë e dytë e javës
E MARTË e ka emrin.

Mos harro kurrë,
Vërja veshin fjalës,
Quhet EMËRKURË
Ditë e tretë e javës.

Edhe ditë e katërt,
Radhën s'e gabon.
Si çdo ditë ka emër,
E ENJTE i thonë.

Pastaj ditë e pestë,
Beni, më kupton?
E PREMTE me “p”,
Si pata fillon.

Shkon dhe kjo ditë,
E gjashta pason,
E SHTUNË e quajnë,
Java sa s'mbaron.

Ditë e shtatë erdhi,
Ben, dritë, o zemër,
Quhet E DIEL,
Nuk ka tjetër emër.

Tani vëlla i dashur,
Motra e puthë trimin,
E përfundojmë orën,
Përsëritim mësimin.

E hënë e martë,
E mërkurë, e enjte,
Janë ditë pune,
Siç është e premte.

E shtunë e diel,
Prindërit nuk punojnë,
Na marrin përdore,
Në shëtitje shkojmë.


Muajt e vitit

Janari dhe shkurti
Erën fort e ngasin,
Fëmijët te shpati
Me saja rrëshqasin.

Marsi sapo vjen,
Ikën shpejt dimri,
Kudo në natyrë,
Syrin nxjerr blerimi.

Prilli dhe maji
Sjellin lule plot,
Qengjat dhe kecat
Dalin në kullotë.

Qershori fëmijët
I gëzon me qershi,
Cicërojnë dallëndyshet
Këndshëm nën çati.

Korriku dhe gushti
Pemë e vapë shumë,
Ca lahen në det,
Ca lahen në lumë.

Shtatori si çdoherë
Ndan verën nga vjeshta,
Fort i ëmbël rrushi,
Bëhet nëpër vreshta.

Tetori dhe nëntori
Sjellin shi e erë,
Sapo vjen dhjetori,
Dimri, hop, në derë.

Stinët e vitit

Pranvera

Fustanin e belrtë
Tash e vesh natyra,
Mali edhe fusha
Ylber me shumë ngyra.

Vera

Frutat piqen n'pemë,
Bimët rriten n'arë,
Kokrrat mjaltë në degë,
Gruri sikur ar.

Vjeshta

Ikën dallëndyshja
Dhe çdo zog shtegtarë,
Vilet kopshti, fusha,
Drithi në hambar.

Dimri

Bora mbulon tokën,
Ngricën sjell veriu,
Natë e ditë në ëndërr
Mjaltën sheh ariu.



Viti i Ri dhe Viti Plak

Viti Plak:

U lodha, u plaka,
Më nuk kam fuqi,
Të ik sa më shpejt,
Se vejn Viti i Ri.

Fëmija:

Ore mjekërbardhë,
Je bërë plak si kurrë,
Për të ikur shpjet,
Të duhet veturë.

Viati Plak:

Veturën, o fëmijë,
Në rrugë e kam lënë,
Se të gjitha shtigjet,
Bora m'i ka zënë.

Që atë më ndihmoni,
Dilni në mëhallë,
Ta gjeni për plakun
Një kalë me samar.

Nuk mundem më
Te ju të qëndroj,
Tash vjen Viti i Ri,
Më duhet të shkoj.


Viti i Ri:

Ndalu Viti Plak,
Kali s'të ndihmon,
Ngrica të mërdhin,
Bora të ndalon.

Të dashur fëmijë,
Pak me nxitim,
Një sajë të mirë plakut
Jepjani për udhëtim.


Fëmija:

Ja merre sajën,
O Viti Plak,
Nëse s'të bën punë,
Kërko ndihmë prapë.

Viati Plak:

U rritshi ju,
U bëfshi si molla!
T'i mësoni mësimet,
Ashtu ju do shkolla!

Viti i Ri:

Ejani, o fëmijë,
Diçka t'ju dhuroj:
Karamela, çokollata,
Kukulla për vajza
Dhe plot pesa
Për të gjitha kalasat.
Veçmas për nxënësit
E klasës së parë,
Thasë me abetare
Dhe sheqera të bardhë!



Nipi dhe gjyshi

Vërtet më ke nip
Dhe më përqafon,
Po në ëndërr gjysh,
Ti nuk më ndihmon.

Mbrëmë mua qeni
N'ëndërr m'u vërsul,
T'i s'loze nga vendi,
S'ia hodhe një gur.

S'e përdore shkopin,
Kot e mbaje n'dorë,
Ta pengoje qenin,
Kur m'ndiqte n'oborr.

Fryma sa s'm'u nda,
Desh më hëngri hori,
Mirë u bë që frika
Gjumin gjysh ma nxori.

Gjysh tallesh me mua,
Besa më dëshpron,
Ditën “nip të dua!”
N'ëndërr s'më ndihmon.

Nuk zemërohet gjyshi
Pse djali kështu flet,
I vogël si nipi
Ka qenë edhe vetë.

Shumë e do dhe nipi,
Por nuk e kupton,
Pse nga qeni gjyshi
N'ëndërr nuk e mbron.

Gjyshja dhe mbesa

Pse sa ti nuk rritem,
O gjyshja ime e mirë?
E madhe të bëhem,
Ah, sa kam dëshirë!

E madhe do të rritesh,
Fare s'kam dyshime,
Unë sa ti, nuk bëhem,
Shpirt, o mbesa ime!

Pse e vogël do të bëhet,
Gjyshen s'e kupton,
Mbesa që do të rritet,
Fort e përqafon.


Artani dhe pasqyra

Në pasqyrë Artani
Një ditë po shikonte,
Në pasqyrë një fëmijë
Përballë i qëndronte!

Ia bëri me dorë
Pranë donte t'i vinte,
Po ashtu dhe fëmija,
Artanin e thërriste!

“Eja ti këtu!”
Ngulte këmbë Artani,
Njësoj thoshte fëmija,
Po si ndihej zëri!

Iu afrua fëmijës
Përdore ta kapte,
Po xhami në mes
Dy shokët i ndante!

Gjuhën e nxori,
Gojën deri te veshi
Edhe fëmija në pasqyrë
Njësoj e përqeshi!

Dorën e bëri shuk,
Përpak që s'ia mëshoi,
Po edhe fëmija grusht
Sa nuk e qëlloi!

“Po të mos ketë xham,
Të mos bëhet copë,
Picërrak i vogël,
Do të shtrij përtokë!”

U çudit kur e pa,
Nënën e tij të mirë,
Si e mori n'krah
Djalin në pasqyrë!

Herë shiko fëmijën,
Herë shiko te mami,
Picërraku në pasqyrë,
Ishte vetë Artani!




Bleta


Mendon Drita e axhës Ket,
Mjaltin bleta ku e merr?
Mos ka gjetur ndonjë det,
N'vend të rërës plot sheqer!

Nuk e sheh bletën n'gjumë,
Lule m'lule, n'mal e n'arë,
Mos e mbush kovën n'lumë,
Plot me mjaltë si n'pazar!

Lumë me mjaltë, det me shërbet!
Kurrë s'ka gjetur, kurrë s'ka parë,
Lumë e det janë lulet vetë
Fshehin mjaltin në nektar.



Fluturat fluturojnë

Flutura, flutura pikaloshe,
Sikur lulet lara-lara,
Ca në lule nëpër kopshte,
Ca në lule nëpër ara.

Cilat lule, cilat flutura?
Ah, sa pak ato dallojnë.
Janë të bukura, ngjyra-ngjyra,
Lulet s'ikin, fluturat fluturojnë!





Gjarpri

Në mes oborrit të shtëpisë,
Drita sa s' mbeti pa mend,
Përskaj trungut të qershisë
Një zvarranik kishte zënë vend!

Desha me dorë ta kap,
Menjëherë, nënë, dredhoi,
Sa e bëra nga ai një hap,
Rrëshqiti e s'di ku shkoi!

Ishte i shpejtë sa më s'ka,
Si vetëtima e lëshoi vendin.
Fort të lutem, nënës i tha,
Ma trego si e ka emrin?

Gjarpër është mos u mashtro,
Vdekjen sjell kur sulmon.
Kurrë me dorë mos e trazo,
Të keqen nëna, të helmon!




Urithi

Ç'faj ka bërë urithi i shkretë,
Që nuk duket kurrë mbi dhe?
Krejt në terr e çon një jetë
E nuk del n'dritë si ne!

Mos ka vjedhur natën, ditën?
Prandaj fshihet si hajdut!
Sapo ndeshet pak me dritën,
Kokën n'tokë thellë e fut!

Në mëngjes kur flë gjithkushi,
Truqa-truqa e çon tokën,
Sapo ndien se vjen dikushi
N'thellësi prapë e rras kokën!

Mendon Drita vetë me vete,
E lodh përgjigjja, e mundon,
Si në ëndërr ajo me mendje,
Sheh abetaren e vëllait Ton.

Në një faqe aty nga fundi
Një urith kopshtin lëron
Nën të shkronjat si hulli,
Që ende Drita s'i lexon.

Dhe vendosi kur të shkojë
Te mësuesja e klasës së parë
Që nga e para t'i mësojë
Ato shkronja radhë me radhë.

Kur të vijë te ajo faqe
Ku urithi me gëzof lëron,
Do ta mësoj historinë e fajit
Që të shkretin e turpëron!









Kërmilli

Kërmill vreshtari
Që kënaqet me bar,
Për shtëpi nuk mbante,
Siç mban sot samar.

Qull e bënte shiu,
Dielli e përvëlonte,
Në shëtitje i ziu,
Ah, sa keq e pësonte!

Njeriut me ombrellë,
Fort ia kishte lakmi,
Po askund nuk gjente
Ombrellë për kërmij!

Një ditë kur e pa
Me samar një breshkë,
Pa shtëpi, tha, më,
Nuk shkoj as në vreshtë!

Kërmilli turist

Unë kërmilli i vogël,
Jam turist me nam,
Shtëpinë sa një gogël,
Makinë nuk kam.

Për bankë e automat,
S'mbaj librezë, as kartelë,
Shtëpinë me vete ditë e natë,
Për kursime kush s'më del.

Arkën e kam plot me ar,
Shtëpinë mburojë e hotel,
Trim në kopsht e në arë,
Turist jam çdoherë.

Saherë më merr gjumi,
Kam shtëpinë s'paguaj,
Shtrenjtë kushton hoteli,
Tridhjetë net në muaj!


Bardha dhe hëna

Hënë e artë një natë
Iu afrua dritares,
Flokët e buta lehtë
Ia ledhatoi Bardhës.

Solli për njomëzën
Gjumin ëndërrimtar
Dhe ia fali për lodër
Rrezet sikur ar.

Seç u bënë litar
Rrezet për çudi,
Me të shëpejtë u ngjit
Bardha në lartësi!

Dora­dorës
Rrezes përpjetë,
Përpak kohë
Mbi hënë u gjet!

Që t'i njihte e vogla
Më mirë anët e botës,
Hipur përmbi hënë
Po i sillej tokës!

Iu kujtua kukulla,
Shoqe e pandarë,
Vetëm sa nuk plasi
Që s'e kishte marrë!

Sa hap e mbyll sytë,
Oh mrekulli!
Dy flatra i dolën,
Nën krahë për çudi!

Mësyu tatpjetë,
Si një aeroplan,
Rrugës për në tokë
Dy flatrat i ranë!

Shkonte teposhtë,
Shpejt mu si plumb,
Për fat ra në det,
Por arriti në fund!

Një delfin i shpejtë
Bardhës i ndihmoi,
E mori në shpinë
Dhe në breg e çoi!

Sapo Bardha shkeli
Në tokën e thatë,
Humbi hëna e delfini,
Gjeti kukullën në shtrat!

Ëndrra e dembelit

Një lumë ujëshumë,
Një që rrjedh vetëm mjaltë!
Një tjetër që ka brumë,
Një plot pite e byrek,
Një me tortë e me kek!
Një lumë shkumëbardhë,
Mbushë me kos e me dhallë!
Një që shkon trapa­trupa,
Breg më breg plot me fruta!
Një lumë fushe me çervish,
Një lumë mali rrast me mish!
Dhe një tjetër valëshumë,
Shtratin plot me limonadë!
Një tjetër që sjell shërbet,
Bakllava e çokollatë!
Po të kishte mundësi,
Ta bënte këtë zhgjëndërr,
Dembeli i lagjes sonë,
Kurr s'do të shihte ëndërr!
Flamuri

Me Skënderbeun
Në luftë u linde,
Me Ismail Qemalin
Për liri në Vlorë u ngrite,
Flamur o shqipe!
Pse baba …?

Pse baba nuk rri me ne,
Pse po shkon në dhe të huaj?
S'të pëlqen këtu tek je,
Ku me shokët dal e lauj?

Të holla e rroba na dërgon,
Si dua, ta them të drejtën,
Dua të jesh bashkë me ne,
Mos ma bën të zezë jetën!

S'i dua më lojërat me shokë,
As letrat që shpesh na i çon,
Rri me ne e puno tokë,
Gjë që mua fort më gëzon.

Jam i vogël, por do të ndihmoj,
Bukën në arë vetë do ta sjell,
S'ka më gëzim se kur e kujtoj,
Me ty arën bashkë ta mbjell.

Sa mirë, bir, po mendon,
Ma do zemra bashkë t'punojmë,
Jeta këtu shumë më gëzon,
Dheun e huaj ta harrojmë.

Fushën e kemi shumë pjellore,
Po të huajt e shfrytëzojnë,
S'janë të shkreta ato bregore,
Në lulishte do t'i shndërrojmë.

Kur ta çlirojmë atdheun tonë,
Në ato bregore do të festojmë,
Për gjallim në dhe të huaj
Kurrë më nuk do të shkojmë.

Bernë, shtator 1982

Pranverë 81

Një popull për liri,
Është ngritur në këmbë,
S'duron pranga e robëri,
As çizmen e rëndë.

Bën çudi bota mbarë,
Ç'po ndodh në Jugosllavi,
Gjithë Kosova, çdo shqiptar,
Kërkon të drejta e liri.

Nuk na tremb Serbi
As me pushkë, as me topa,
Si të gjithë duam liri,
Nuk jetohet më në pranga.

Pranverë e vitit 81,
Është shkruar me gjakun tonë,
Sot e kujtojmë në robëri,
Në liri do ta festojmë!

Dëshmorëve

Për Jusufin e Kadrinë,
Lumë e kemi poezinë,
Për Bardhoshin dhe të tjerë,
S'ndalet pena asnjëherë.

Për Kosovën kush ra,
Na dha zemër i falim krahë.
Vepra juaj, o dëshmorë,
Republikës i thur kurorë!

Mos ndaloni shokë

(Ali Ajetit)

Mos ndaloni shokë,
Unë bëhem mburojë,
Për qiell e për tokë
S'lë njeri t'kalojë.

Më lini fishekë,
Ta pengoj rrethimin.
Tytë e automatikut,
Shok e vëlla për trimin.

Policë t'Federatës,
Ju farkues t'robërisë,
N'prit i del Serbisë.

Flakë automatiku,
Armiku tërbohet,
Shokët larg rrezikut,
Aliu s'dorëzohet.

Trandin tanket tokën,
Qielli uturin,
Aliu e Kosova
Shkrihen n'përqafim.

Ali Ajeti

O Ali Ajeti,
Trimi ynë i rrallë,
Për ne je vëlla,
Për Kosovën djalë.

O Ali Ajeti,
Lule e rinisë,
Si trimat e mbrojte
Çetën e lirisë.

... link (0 Kommentare)   ... comment


Të mirët janë vrarë në luftë
Të mirët janë vrarë në luftë, ndërsa të këqijtë …!

Më ftuan në një gazmend te axha i gruas sime. Dhoma, në të cilën tymi i duhanit shkonte shtëllungë-shtëllungë, ishte mbushur plot me burra. I përshëndeta dhe zura vendin që ma caktuan. Meqë jo më pak se njëzet vjet kam qëndruar larg vendlindjes, përpos njerëzve të shtëpisë, të pranishmit e tjerë nuk i njihja. Një burrë, që dukej se i kishte afër gjashtëdhjetë vjet po i printe bisedës, boshti i së cilës ishte ndihma dhe roli faktorit ndërkombëtar. "A-a, ndihma është më se e nevojshme", - theksoi një burrë me zë të trashë. "Pa të ndihmuar të tjerët, vështirë e ke me ia dalë në krye"- plotësoi një tjetër, që nuk e kisha shumë larg.
- Ndihma është e mirë, po duhet ta meritosh, - shtoi një shkurtak i hajthëm. - Nuk e shihni se sa në gjendje të keqe janë pjesëtarët e UÇK-së, invalidët e luftës dhe familjet e dëshmorëve?
- E-e-e-po si ta bësh vendin. Të mirët janë vrarë në luftë, ndërsa të gjithë këta që kanë mbetur gjallë janë të këqij, - ia lidhi kryet bisedës një zgjatell që kishte zënë vend pranë burrit gjashtëdhjetëvjeçar që e mbante gjallë muhabetin.
Një “po, po" – si një rrapëllimë e thatë shteri në gojën e disa të pranishmive që s'donin as të kundërshtonin, as ta zgjatnin më shumë këtë bisedë me qëllim që të mos e shndërronin në zënka politike atë gazmendi familjar.
Dhomën e kaploi heshtja. Reja e tymit të cigareve, që t'i digjte sytë e ta rëndonte frymëmarrjen, sikur u dendësua e u rëndua më tepër. Pohimi se të gjithë pjesëmarrësit e luftës që kanë mbetur gjallë janë të këqij ma rëqethi trupin. Edhe Adem Jashari, po të ishte gjallë, mendova me vete, nga këta tipa, do të cilësohej i keq. Vendosa të kundërshtoj.
- Nëse më lejohet, do të them edhe unë diçka, - e theva qetësinë.
- Pse jo, - ma ktheu ai që pohonte se kanë mbetur gjallë vetëm të këqijtë, ndërsa të gjithë të mirët janë vrarë në luftë.
- Është mirë të të ndihmojnë të tjerët. Pa miq e pa shokë s'bëhet gjë, -i mbështeta mendimet e folësve paraprakë. Një gjë sikur nuk shkon këtu: me një anë kërkojmë ndihmën nga të tjerët, ndërsa në anën tjetër themi se jemi të këqij. Të keqin askush nuk e ndihmon. Djalë po ta kesh nuk e ndihmon. "Ik se je i keq", - i thua. Vëlla po ta kesh, nuk e ndihmon. "Thyej qafën, se je i keq", - i thua.
Të pranishmit, të befasuar nga ndërhyrja ime, sikur pyesnin njëri-tjetrin: "E ku do të dalë tani ky!?”
- Cili nga ju, - e vazhdova përsëri fjalën, - më tregon se si kanë pasur mundësi serbët, në front të luftës, t'u thonë shqiptarëve të kqij, që na paskan mbetur gjallë: "Ruajuni ju, se dua t'i vras vetëm të mirët". As në birucat e burgut, ku njerëzit janë me numra e me dosje personale, që siten e stërsiten nga profesionistë të sigurimit, nuk ka mundësi të bëhet një ndarje e tillë e jo më në front të luftës ku palët kundërshtare shikohen në largësi përmes tytës së armës. Njerëzit nuk janë pjepra që me të shtypur të gishtit apo me të marrë erë të ndahen në të pjekur dhe në të papjekur.
- Për këtë pyetje s'ka përgjigje, - ma ktheu njëri, që po më vështronte pak si me habi.
- Përgjigje ka, por unë desha ta dëgjoj nga ju që po pohoni se të gjithë të mirët janë vrarë në luftë, ndërsa të gjithë ata që kanë mbetur gjallë janë të këqij.
- E cila na qenka përgjigja? - mu drejtua ai që e kishte hapur këtë bisedë.
- Përgjigja është e qartë: njollsja e luftës për liri. Pse nuk po thoni se kanë mbetur pa u vrarë edhe të mirë edhe të këqij. Duke i futur të gjithë me një thes, ju po bëni një punë të keqe. Po i mbroni të këqijtë e po i luftoni të mirët. Me dashje apo pa dashje, po çoni ujë në mulli të armikut. Aty ku nuk respektohet e nëpërkëmbet, aty ku njolloset lufta çlirimtare, liria është e brisht. Vendin e saj shumë lehtë mund ta zërë robëria e z buar.

Nëntor, 2003 Avni Dehari

... link (0 Kommentare)   ... comment


Ti je ushtar i mirë i Millosheviqit
Ishte nëntor i vitit 91.
Në Shoqatën Kuturore "Pjetër Bogdani" në Biel, ku e shtypnim "Zërin e Kosovës" dhe libra të ndryshëm, me poezi, prozë, politikë e publicistikë etj. erdhi një letër nga Cyrihu. Sipas saj dikush nga ne të shoqatës mund të merrte pjesë në një kurs për mësimin e gjermanishtes. Kursi organizohej për mësuesit nga ish-Jugosllavia dhe ishte falas.
Meqë kisha nevojë ta mësoja më mirë gjermanishten, shokët më këshilluan që ta shfrytëzoja këtë rast. "Derisa aty po shkruan për mësuesit nga ish-Jugosllavia, sigurisht që do të ketë edhe mësues serbë", - u thashë. "Pyet njëherë." - më këshilluan ata.
E formova numrin dhe pas paraqitjes së zakonshme shtrova pyetjen:
- A ka edhe mësuses serbë në kurs?
Në anën tjetër të telefonit një zë gruaje ma shtroi pyetjen:
- Të pengojnë serbët?
- Jo. Por, ju e dini se në Jugosllavi zhvillohet luftë. Në Kosovë mbretëron gjendje e jashtëzakonshme. Në këto rrethana nuk shoh se ka atmosferë mësimi të ulen së bashku pjesëtarët e dy popujve që janë në gjendje lufte.
- Po me kroatë, sllovenë e boshnjakë mund ta ndjekësh kursin?
- Po.
- Atëherë, jeni të mirëseardhur. Edhe kroatët, sllovenët e boshnjakët nuk kanë pranuar të jenë së bashku me serbët. Për serbet kemi organizuar kurs veçmas.
Kursin që zhvillohej çdo të martë, prej orës 8: 30 – 12: 00 e përcillnim një sllovene, një kroate, një boshnjake e një boshnjak, një malazeze dhe tre shqiptarë . Në orën 9:30, bashkë me dy mësueset e gjermanishtes që e drejtonin kursin, shkonim për kafe në një restorant që gjendej krejt afër. Aty e shfrytëzonim rastin për biseda të ndryshme. Mësueset interesoheshin për fatin shumë të hidhur të popujve në Jugosllavi, pjesëtarë të të cilëve ishim edhe ne në atë kurs.
Një ditë prilli të vitit pasues, derisa po mbanim orë, trokiti dikush në derë. Në klasë u fut një njeri trupmadh. Ngjante të ishte serb.
- Ulu Gojko, - i tha mësuesja dhe na sqaroi se ai kishte ardhur ta merrte certifikatën që e kishte ndjekur kursin në grupin tjetër.
Gjatë pushimit në restorant erdhi për kafe edhe Gojko. I ra të ulej afër meje. Unë si zakonisht bisedoja me të tjerët, ndërsa Gojko iu drejtua mësueses me këto fjalë: "E shihni sa keq. Jemi nga një shtet, kurse kursin nuk e mbajmë bashkë".
Këmbëngulja e Gojkos për t'i bindur mësueset Betinën dhe Kristinën, se s'ishte mirë që qytetarët e një shteti nuk ishim së bashku në një kurs, më provokoi. U ktheva nga Gojko. M'u desh, ta drejtoja shikimin përpjetë, meqë për nja dy kokë ai ishte më i lartë se unë.
- Më duket se thatë që është shumë keq që nuk jemi së bashku në kurs?
- Pikërisht ashtu, - shprehu kënaqësinë që më tërhoqi edhe mua në atë bisedë. - Ne vijmë nga i njëjti shtet dhe nuk ka kuptim që ta ndjekim mësimin ndaras. Shumë keq, shumë keq i dashur koleg…e përfundoi pohimin duke më shikuar si një fajtor që po ia prishja bashkëjetesën në atë kurs.
- Ke të drejtë, - i thashë.
- E shihni? Edhe ky pajtohet me mua, - i tha Betinës duke mos e fshehur kënaqësinë që po gjente mbështetje nga unë.
- Para se të pajtohem plotësisht, kam një pyetje.
- Urdhëro.
- Janë bashkë njerëzit në shtetin prej nga vijmë unë e ti?
- Paj, ... Atje po bëhet luftë.
- E pra, që të jenë qytetarët e atij shteti këtu bashkë, atje, në vend duhet të jenë bashkë dhe të jetojnë në harmoni. Më thuaj të lutem: A mund të shkosh në Beogradin tënd nëpër Lubjanë e Zagreb ashtu siç ke shkuar edhe më parë.
- Jo, … Është luftë.
- E di ti se nga duhet të shkoj unë për në Kosovën time?
Gojko i rudhi krahët dhe e prishi fytyrën.
- Për të shkuar në Kosovë, mua më duhet të kaloj nëpër Austri, Hungari, Rumani, Bullgari dhe Maqedoni ose nëpër Itali, Shqipëri, Maqedoni. Nëpër Serbi … Gojko, ata që luftojnë ndërmjet vete nuk mund të rrinë bashkë.
- Nuk është bash ashtu. Unë rri e pi kafe edhe me shqiptarë.
- Edhe unë me ty po rri e po pi kafe, por kjo nuk do të thotë se u zgjidhën problemet. Më kot u bie në qafë njerëzve pse nuk rrinë bashkë. Faji është atje. Atje ku bëhen vrasje e therje.
- Nuk janë vetëm serbët fajtor. Fajtorë janë edhe kroatët, boshnjakët e ...
- Më thuaj të lutem kush po bombardohet: Beogradi apo Zagrebi?
- Zagrebi.
- Zagrebi pra. Po të ishte bombarduar Beogradi do kisha thënë se fajtorë janë kroatët, por po ndodh e kundërta. Puna po flet vetë Gojko.
Kroatja që ishte afër meje më përshpëriti: "Të lumtë!".
- Vetëm vazhdo kështu, - shtoi me zë të ulët edhe sllovenia që po e përcillte me vëmendje bsiedën. – Një drekë sot e ke nga unë.
- Në Bosnje ushtarët dhe paramilitarët serbë po therin gra, pleq, fëmijë si kafshë Gojko. Ti nuk kërkon që të ndalet lufta dhe të zgjidhen si duhet problemet, por po kërkon me pa të drejtë nga njerëzit që t'i nënshtrohen Serbisë. Po kërkon që të ulen e të rrinë pa të keq viktima e xhelatin.
- Boshnjakët bëjnë luftë të pakuptimtë. Ata janë sllavë.
- Po, sllavë janë.
- E shihni, - ju drejtua Betinës dhe mësueses tjetër që dëgjonin pa u përzier në bisedë. – Edhe ky thotë se atë janë sllavë. Boshnjakët bëjnë luftë fetare.
- Nuk është e vërtetë Gojko. Edhe rusët, polakët, sllovakët, kroatët, sllovenët e të tjerë janë sllavë, por janë bërë kombe. Edhe boshnjakët që kanë krijuar identitetin e tyre kombëtar nuk është e drejtë që ju t'i mbani me dhunë. Duan të dalin më vete dhe pikë. Vullnetin e tyre ata e kanë shprehur edhe me referendum.
- Jo shumica. Në referendum kanë dalë më pak se 50 për qind, por janë shtrembëruar faktet. Kanë nxjerrë rezultate false.
Edhe pse kisha argumente të pakundërshtueshme për vullnetin e boshnjakëve për t'u pavarësuar, vendosa t'i kundërvihem ndryshe.
- Po në Kosovë sa për qind kanë dalë në rerferendum për pavarësi.
- Qind për qind.
- Nuk është e vërtetë.
- Po sa?! – pyeti i hutuar, meqë nuk priste se do ta kundërshtoja.
- Si të them, nja nëntëdhjetë e tre për qind. Serbët, malazeztë, ndoshta edhe ndonjë pjesë e grupeve të tjera etnike nuk dëshirojnë të ndahen nga Serbia. Siç po e sheh, jo vetëm mbi pesëdhjetë për qind, por për shkëputje nga Serbia janë deklaruar mbi nëntëdhjetë për qind dhe prapë me tanke po shkilet vullneti i shumicës. Mos edhe këtu ka dallavere, shtrembërime e rezultate false?
- …, - Gojko u zverdh.
- Bukur, bukur, ashtu… - më nxiti përsëri kroatja.
- Vazhdo, vazhdo të lutem, - ia bëri edhe sllovenia e cila e afroi edhe më karrigen nga unë.
Betina, kolegia e saj dhe të pranishmit e tjerë sikur u shndërruan në veshë. Vetëm Gojko nuk ishte i qetë. Ai përpiqej ta shkundte trullosjen si boksieri pas nokautit.
- Gojko, - e mora përsëri fjalën, - në Bjelinë ushtria serbe po ther njerëz si kafshë. Mos e mbroj të keqen. Kundërviju.
- Ti nuk e njeh realitetin. Nuk ke të dhëna mbi atë se çfarë po ndodh atje.
- Gabon Gojko. Ky ka njohuri shumë të mira … Brenda këtyre muajve kemi biseduar shumë shpesh për ngjarjet në Jugosllavi, - foli Betina.
- Eh Gojko, Gojko. Gazetat po shkurajnë se në Bjelinë janë therur mbi një mijë veta. Në mesin e tyre edhe një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve, që kanë shkuar atje qoftë si furrëtarë apo si krah pune.
- I beson ti gazetave? Ato rrejnë. Unë jamë gazetar. Trembëdhjetë vjet kam punuar si korrespondent i Radiotelevizionit të Beogradit në Sarajevë.
- E besoj se gazetat rrejnë. Sidomos në këtë rast.
- E shihni, e shihni pra! – u këndell Gojko sikur ta kishte marrë një tush të freskët
pas asaj trullosjeje.
- Rrejnë Gojko, rrejnë. Madje shifra prej një mijë vetash është rrenë e kulluar. Ta
mbash Bjelinën një javë ditë të rrethuar me një ushtri dhe paramilitarë të armatosur deri në dhëmbë, t'i mbash qytetarët e saj duarthatë të rrethuar për një javë, të mos i lejosh një javë ditë të hyjnë në qytet jo vetëm anëtarët e qeverisë boshnjake, po as përfaqësuesit e Kombeve të Bashkuara, shifra prej një mijë vetash nuk është aspak e saktë. Aty duhet të jenë vrarë jo një mijë, po nja katër a pesë mijë veta, por ç't'i bësh gazetat nuk e thonë të vërtetën, ato rrejnë.
Gojko që u trullos edhe më shumë bëri përpjekje të nxirrej nga situata.
- Nuk i kemi ne fajet. Fajet i kanë politikanët, udhëheqësit tanë, fajet i ka Millosheviqi.
- Millosheviqi?
- Po, - tha Gojko, cili e ndjeu veten pak të lehtësuar.
- Ti je gazetar. Mund të ma gjesh një shkrim ku je distancuar nga Millosheviqi. Mjafton vetëm një shkrim.
Në pamundësi për të mos gjetur një shkrim të tillë, Gojko s'dinte nga t'ia mbante.
- Ti je një ushtarë i mirë i Millosheviqit, - i thashë duke ia rrahur krahët. – Ju që jeni armiqësuar jo vetëm me shqiptarët, por me të gjithë popujt e hapësirës jugosllave kur ta humbni luftën ku do të shkoni?
"Vërtet Gojko" "Ku do të shkoni?" "Ku do të shkoni?" "Ku do të shkoni?" "…?"
- përsëriteshin pytjet nga të gjithë të pranishmit.
Gojko e humbi toruan. Si njeriu që mbrohet nga grerëzat filloi të mbrohej nga pyetjet që i drejtoheshin nga të gjitha anët. Më në fund mori forcë dhe përshpëriti duke e tundur kokën "Nuk e di".


Avni Dehari

... link (0 Kommentare)   ... comment